Botohet kolana me veprën më të zgjedhur të poetit Koçi Petriti.

  
Lirikat e Koçi Petritit përbëjnë njërën nga dy përmasat më të rëndësishme të poezisë së tij. Sepse, s’ka pse të duket e habitshme, në veprën e tij poetike lirika dhe epika shfaqen të kërleshura si dy gjarpërinj në vallëzim. Ec e ndaji, mund të thuhet. Megjithëkëtë edhe gjarpërinjtë në vallëzim e sipër s’ka pse të mos ndahen për një çast dhe, e ndarë kështu veçan, lirika e tij mblidhet e përzgjidhet në një libër.

Për t’u ikur qysh në fillim kurtheve të “përkufizimit”, po shënoj vetëm që për çdo poet përkufizimi i poezisë është tjetër. Kështu edhe për Koçi Petritin përgjigjia pyetjes “ç’është poezia” është tjetër. Dhe është e natyrshme të jetë kështu, ngase nocioni “poezi” dëfton përgjithësim maksimal të një tendosjeje subjektive, të ndienjave të njeriut- poet të shprehura në përgjithësi. Në rastin e ndjenjave të shprehura me shkrim, vetëm emri i tyre ( “poezi” në njëjës, “poezi” në shumës) ka kuptim nocional, ndërsa përmbajtja e vetë ndjenjave i ikën kategorikisht nocionit, madje mund t’i kundërvihet atij. Për më tepër, besoj se ajo çfarë është pasionuese në poezinë e një poeti është pikërisht mënyra kryekëput individuale dhe unike në të cilën ajo shfaqet. Nëse ky libër sjell ndonjë risi në rileximin e poetit Koçi Petriti, kjo më shumë se me ndonjë përkufizim të ri të poezisë së tij  ka të bëjë me konceptimin e “albumit”.

Egziston një literaturë e tërë specialiteti, d.m.th. analitike, por edhe sinteza të shumta, mbi arkitekturën e krijimtarisë: romanit, novelës, tregimit. Ndërsa nuk na bie ndër mend asnjë eksegjezë ose, së paku, studim sado i rëndësishëm mbi strukturimin, ndërtimin dhe mënyrat e ndërtimit të “vëllimeve” me vargje. Më shumë se kaq; sa i përket historisë dhe klasifikimit të veprave të tregimtarisë, kriteri i konstruktit të tyre luan edhe një rol dore së parë. Sa u takon “vëllimeve” me vargje, problemet e ndërtimit kanë mbetur një “terra incognita”, njollëz e bardhë në hartën e teknikave letrare. Ka një shpjegim që, gjithsesi, nuk e përligj këtë situatë të pazakontë: që shumë poetë nuk i kanë mbledhur asnjëherë vargjet e veta në një libër, por këtë punë delikate dhe të vështirë ua kanë bërë kritikët ose miqtë, të cilët ndonjëherë kanë qëlluar i njëjti person. Rasti më i shquar në letërsinë shqipe është ai i Lasgush Poradecit. Çfarë do të kishte ndodhur sikur Mitrush Kuteli të mos kishte dëftuar një shije dhe sens letrar të rafinuar kur i hartoi përmbledhjen Vallja e yjeve?

Rasti i Koçi Petritit, megjithëkëtë, nuk është i tillë. Për t’u hartuar vëllimet e tij të njohura poetike Lirikat e majit (1962), Përsëri në udhë (1967), Firma e popullit tim (1974), Prush nëpër shekuj (1979), Lulekuqet (Prishtinë 1985), Të dashurova ty (1988) kanë kaluar, posi jo, në dorën e atij vetë. Por le ta themi që kanë bërë edhe sovajkën e detyruar nga autori te redaktuesi, nga redaktuesi te recenzuesi, nga botuesi te redaktuesi, nga redaktuesi te autori dhe ec-edhe-jakë. Recensues, redaktues apo botues shpesh lara- lara, sikundër shfaqeshin e zhdukeshin rëndom në kohët e vështira për poezinë.

Ndërsa tani, më nge dhe qetësi, poeti ndërton këtë “album” lirikash. Sartre-i na mëson të mos e kërkojmë njeriun gjithkund, por vetëm atje ku ai gjendet. Edhe ne le ta kërkojmë vlerën e konstruksionit apo ndërtimit të një kësi “albumi” vetëm atje tek gjendet. Krijimi letrar, ai poetik posaçërisht, është një akt intimiteti të thellë, fati të brendshëm, dhe si i tillë ka karakter luhatës. Nuk besoj se gabohem kur ngulmoj se talenti letrar nuk është një continuum, por ka edhe ai karakter luhatës. Edhe në rastin e poetëve “të mëdhenj”, madje të quajtur “kombëtarë”, talenti nuk mund të mos jetë në mënyrë të ndjeshme luhatës. Por vjen më mbas fuqia e përzgjedhjes, e rivetorganizimit të poetit për rilexim (thuajse për luftë) dhe kjo është rruga që e çon atë drejt veprës së përmbushur.

Në këtë rrugë, pa asnjë dyshim, ecën me këtë album edhe Koçi Petriti.

50 veprat më të mira të Letërsisë Shqipe
Nga Erget Cenolli
 
Përzgjedhjet për 100 apo më shumë librat më të mirë të shekullit, mijëvjeçarit etj, kanë qënë e janë shumë të zakonshme në botë. Këto përzgjedhje kanë qënë shpesh individuale e shpesh nga institute të specializuara në fushën e letrave.
   Në Shqipëri, nuk ka patur përpjekje të dukshme për të bërë një listim të tillë. Nuk dihet cili është shkaku këtij harrimi, por besoj dikush duhet të çajë akullin dhe të listojë një sërë veprash mbështetur në shijet personale apo në bazë të një studimi të specializuar. Besoj se koha ka ardhur dhe në mos sot nesër, një listim i tillë do të ndodheë patjetër.
   Që në moshën 7-8 vjeçare, dëgjoja e më pas lexova vetë libra me përralla, tregime e vjersha për fëmijë, libra të tillë si: “Aventurat e Nils Holgersonit” apo “Aventurat e Çipolinos” e më pas “Kalamajtë e pallatit tim” apo “Tregime të moçme shqiptare”,  më kanë ndezur imagjinatën dhe më kanë shtyrë gjithmonë e më thellë në botën e librave.
1.“Dhjetë sibilat” e Pjetër Bogdanit
2.“Këngët e Milosaos” Jeronim de Rada
3.“Qerbelaja” Naim  Frashëri
4.“Lulet e verës” Naim Frashëri
5.“Lahuta e malcis” Gjergj Fishta
6.“14 vjeç dhëndër” A. Z. Çajupi
7.“Juvenilja” Ndre Mjeda
8.“Doktor Gjëlpëra” Faik Konica
9.Poezitë e Lasgush Poradecit
10.Rrëfimet e zgjedhura të Mitrush Kutelit
11.Tregimet (novelat) e zgjedhura të Ernest Koliqit
12.Tragjeditë e Ethem Haxhiademit
13.“Vargjet e lira” Migjeni
14.“Psallme murgu” Asdreni
15.“Album” Fan S. Noli
16.“Fshati midis shtatë kodrinave” Kasëm Trebeshina
17.Poezi të zgjedhura Martin Camaj
18.“Lumi i vdekur” Jakov Xoxa
19.Poezi të zgjedhura Drago Siliqi
20.“Krasta Kraus” Bilal Xhaferi
21.“Karnavalet e Korçës” Spiro Çomorra”
22.Tregime të zgjedhura të Dhimitër Shuteriqit
23.“Tre ngjyrat e kohës” Ali Abdihoxha
24.“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” Dritëro Agolli
25.“Udhëtoj i menduar” Dritëro Agolli

26.“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Ismail Kadare
27.“Kronikë në gur” Ismail Kadare
28.“Dimri i vetmisë së madhe” Ismail Kadare
29.“Pallati i ëndërrave” Ismail Kadare
30.Poezi të zgjedhura Ismail Kadare
31.Përmbledhje poezish nga Fatos Arapi
32.Poezi të zgjedhura Koçi Petriti
33.Poezi të zgjedhura Xhevahir Spahiu
34.Poezi të zgjedhura Ndoc Papleka
35.Poezi të zgjedhura Ali Podrimja
36.“Vdekja më vjen prej syve të tillë” Rexhep Qosja
37.“Qyteti i fundit” Petro Marko
38.“Hasta la vista” Petro Marko
39.“OH” Anton Pashku
40.Poezi të zgjedhura Azem Shkreli
41.“Ali Pashë Tepelena” Sabri Godo
42.“Skënderbeu” Sabri Godo
43.“Koka e prerë” Kiço Blushi
44.“Korbat mbi mermer” Teodor Laço
45.Tregime të zgjedhura Nasi Lera
46.Tregime të zgjedhura Sotir Andoni
47.“Shembja e idhujve” Skënder Drini
48.“Buka e një stine me borë” Koço Kosta
49.“Nomeja e largët” Faik Ballanca
50.“Bëhu i bukur” Mimoza Ahmeti


Interesat e studimeve dhe më pas ato të profesionit tim si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe, më kanë dhënë dorë të hyj më në brendësi të veprave të letërsisë shqipe.
I yshtur nga dëshira për t’iu dhënë një mendim nxënësve, miqve dhe shokëve një sugjerim apo një këshillë, vendosa të listoj një sërë librash nga fillimet e letërsisë shqipe e deri më sot. Për këtë listim jam mbështetur para së gjithash në shijet e mija personale, por edhe në punimet e studiuesve të ndryshëm, kritikëve më në zë të kohëve të ndryshme. Po ashtu, kam studiuar me interes shijet e miqve, e të afërmve apo nxënësve të mij.
   Kjo listë përfshin vepra nga fillimet e letërsisë deri në fillim në fund të viteve ’80, pasi për veprat letrare pas viteve ’90 mungojnë studime të mirëfillta. Në këtë listë  janë renditur 50 tituj të asaj që quhet “letërsi artistike” dhe nuk ka tituj nga fusha të tjera si historia, psikologjia et etj. Disa nga këto libra janë shkruar para viteve ’90, por për shkak të regjimit janë botuar pas këtyre viteve.
   Kjo listë mund të plotësohet, por edhe po të përmbyset tërësisht nga studiues të spikatur të fushës së letrave, nuk do të më vinte hiç keq mjafton që gjithkush të japë mendimin e tij të argumentuar.
Dy fjalë për rileximin e poetit
Nga
Aurel Plasari